
Bashkia Pogradec organizon aktivitetin “Nderojmë Dhimitër Pasko ( Mitrush Kutelin) me rastin e 115 vjetorit të lindjes“.
Datë 13 shtator 2022 ora 12.00 tek Salla e Aktiviteteve në Qëndrën Kulturore “ Lasgush Poradeci”
Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) në bashkëpunim me Bashkinë e Pogradecit, do të paraqesë ditën e nesërme, më datë 13 shtator 2022, një ekspozitë mbi figurën e Dhimitër Paskos, të njohur gjerësisht me emrin e pendës si “Mitrush Kuteli”.
Duke nisur nga mesdita (12:00), publiku do të ketë mundësinë të marrë pjesë në prezantimin e dokumenteve arkivore që hedhin dritë mbi veprimtarinë letrare të Paskos, si edhe mbi profilin e tij në rolin e ekonomistit dhe të bankierit.
Mes materialeve të përzgjedhura për ekspozim, të cilat janë pjesë e pasurisë dokumentare të Arkivit Qendror Shtetëror (AQSH), gjenden:
Krijimet “Balta Shqipëtare”, “Natë vjeshte” (dhjetor 1944), “Kënga e biçikletës” (shkurt 1944), “Do desha të vdes” (mars 1946);
Publikimet në faqet e Revistës Letrare, siç janë: “I vdekuri dhe i gjalli” (shkurt 1944), “Poemi i Shëndaumit” (maj 1944), “I pasuri që ish i varfër fort” (korrik 1944);
Kartolina të Paskos drejtuar Lasgush Poradecit, analiza e veprës së poetit “Ylli i zemrës”, botuar në kujdesin e Kutelit;
Rehabilitimi i figurës së Kutelit në regjimin totalitar: kërkesë e Kutelit drejtuar kryeministrit Mehmet Shehu për leje krijimtarie dhe letra e Shehut drejtuar ministrit të Arsimit dhe të Kulturës, Manush Myftiu, për akordimin e lejës së kërkuar;
Emërimi i Paskos si konsulent teknik prej Komitetit Ekzekutiv të Bankës Kombëtare;
Analizë ekonomike e Paskos mbi çmimet në Shqipëri dhe pasuritë natyrore të Kosovës të shfrytëzuara nga italianët;
Studim i bankierit mbi shqiptarizimin e Bankës Kombëtare.
Ky aktivitet zhvillohet në kuadër të përvjetorit të lindjes së themeluesit të prozës moderne shqipe.
Data & Ora: 13-09-2022 12:00
Vendi Eventit: Galeria e Artit
Vendndodhja ne Harte