
TASO-GRAVURA
nje ekspozite retrospektive nga Anastas Kostandini - Taso
Ju pres kete te premte , 12 Gusht 2022 / ora 19.00 / Galeria e Artit, Pogradec
Kohë më parë, kur mbarova Liceun Artistik, më bënte përshtypje të madhe grafika e shtypur. Në fillim të viteve '70, ne kishim mundësinë të shihnim më tepër libra dhe revista në të cilat grafika shfaqej herë si vizatim, si pllakat, si reklamë filmash apo ilustrim tekstesh letrare. Prirja kryesore që kisha në këtë kohë studimesh, ishte vizatimi me të cilin bashkëjetoja kudo ndodhesha. Ndër përshtypjet e shumta të hedhura si vizatim, vetëm një pjesë e tyre shërbente si motiv primar për kompozime në pikturë. Pjesa tjetër, sa vinte dhe bëhej më personale dhe e veçuar prej pikturës.
Në Institutin e Arteve, studiova për pikturë dhe art monumental. Si lëndë fakultative kishim edhe grafikën, atelieri i së cilës sapo ishte krijuar në atë kohë. Pedagogë dhe artiste të njohur si Pandi Mele dhe Vlash Prifti, ndër të tjerë, filluan të përgatisnin diplomat e para në grafikë. Arti grafik ishte një shprehje më konvencionale dhe e toleruar në kohën e diktaturës në Shqipëri. Arti modern, ndonëse i papranuar në atë kohë, ishte prezent në forma nga më të ndryshmet që sa vinin e dominonin dhe mbi pikturën që deri atëhere ishte udhëheqëse ne artet vizuale. Pata fat të kisha profesor grafike Andon Kuqalin, që ishte jo vetëm grafist i shkëlqyer por mbi të gjitha kritik dhe historian arti. Në prezencën e këtij eruditi të artit shqiptar dhe falë ndjeshmërisë së veçantë që kisha ndaj grafikës, mësova që ky art buron prej vizatimit por e ka rrugën e gjatë, ashtu si dhe lumenjtë që derdhen në det. Përgjatë tre viteve të studimit në atelierin e grafikës fakultative, arrita të realizoj mjaft punime, dukshëm më të çlirëta në koncept dhe ambicje nga studentët që diplomoheshin eksluzivisht për grafikë.
Me të mbaruar fakultetin, grafika u bë një paralele kaq serioze sa që hera herës merresha veçmas me të. Galeria Kombëtare e Arteve më koleksionoi disa prej tyre, çka më inkurajoi duke më shtyrë të shkoj më larg në këtë gjini figurative po aq sa dhe me pikturën. Fillimisht përdorja linoleumin (linogravurë) mbi të cilin përpunoja dhe përmblidhja vizatimet që sa vinin e diferencoheshin nga vizatimet e kavaletit. Në fillim te viteve ‘80, gravura si teknikë u zhvendos nga linoleumi në pllaka druri (ksilografi), çka më lejoi një tjetër përqasje. Prej shumë kohësh merrem me këtë gjini pa te cilën do të isha i paplotë. Pra, prej 40 vitesh, vizatoj qëllimisht për të krijuar grafika. Pasioni grafik më ka shtyrë drejt ilustrimit letrar, por edhe në grafika të realizuara për revista e gazeta. Ndikim të drejtperdrejtë në këtë pasion kanë patur mjeshtrat botërore, veçanërisht grafisti ekspresionist belg Frans Masereel, Lyonel Feininger, ksilogravurat japoneze dhe mbi të gjithë, mjeshtrit e mëdhenj si Albrecht Dürer, Hans Holbein e deri tek Picasso.
Një moment i veçantë në fillimet e mia grafike është dhe diplomimi i Skënder Lakos. Lako spikati fort me ciklin e tij të grafikave fort moderne për ato vite. Ai dhe të tjerë, për herë të parë në akademinë shqiptare të arteve mbronin dipllomën si grafistë. Shpejt u miqësova me të. U njoha me proçesin grafik të tij. Lako më thoshte shpesh që “ti po vazhdon të bësh atë që unë nuk munda ta bëj...për shumë arsye". Ndonëse grafikat e tij fillojnë dhe mbarojnë me diplomën, përsëri Lako do mbetet në historinë e grafikës. Ai cikël grafikash në linoleum, kanë pasur një ndikim specifik në fillimet e mia. Ato mbartnin ndikime nga Picasso dhe Braque në një stil dukshëm kubist.
Një dialog te vërtetë kam pasur gjithashtu me veprat e shumë grafistëve shqiptarë të cilët jo vetëm i kam njohur personalisht, por dhe kam mësuar dhe debatuar me ta, si Profesor Sadik Kaceli me fletën e tij fort të bukur grafike “Kalaja e Petrelës”, e cila ka shërbyer si model i grafikës së çliruar nga ideologjia.
“Vdekja e gjyshes” e Profesor Andon Kuqalit gjithashtu më prekte me intimitetin e tregimit por edhe me teknikën e pasforcuar. Safo Marko, Lumturi Dhrami, Musa Qarri, Agim Faja etj., ndikonin për mirë në ruajtjen dhe përpunimin e një gravure shqiptare tek e cila unë besoja dhe e respektoja.
Në librin tashmë të njohur të Maks Velos, “Grafika e Realizmit Socialist në Shqipëri”, botuar në 2014, profesori im i perspektivës dhe artisti fort i njohur e antikonformist, mes të tjerash shprehet: Zona juglindore krijoi një pol të gravurës. Manastiret dhe pazaret, në shekujt e kaluar, krijuan një terren të përshtatshëm për gdhendjen e drurit dhe të gurit. Gravura është art dhe artizanat. [...] Kur mendoj për këtë pol të gravurës, nuk mund të lë pa përmendur faktin se shtypshkronja e parë u instalua në Voskopojë në gjysmën e dytë të shekullit të 18-të dhe letra, ngjyra e zezë e shtypit, rulet dhe presat, u përdorën për herë të parë aty.
Në mbyllje të shkrimit që shpjegon librin e tij, Maksi jep një përkufizim dhe për grafikën time. Ai thotë : Anastas Kostandini ka aftësi të rralla grafiste. Ai çdo subjekt mund ta kthejë në gravurë. Punon linoleumin, por dhe drurin (ksilografinë). Ai renditet në traditat më të mira Ballkanike. Asnjë nuk është aq ballkanas, aq bizantin sa ai. E do si Profet Poradecin me liqenin.
Në këtë ekspozitë retrospektive, kam përmbledhur një pjesë të krijimtarisë time grafike në një hark kohor gati gjysëm shekullor. Shpresoj që megjithë pasionin për eksperimentin artistik që më udhëheq si një kredo, grafika ime t’ja ketë dalë të ketë fizionominë e vet në frymë, modelim dhe stil. Nevoja për komunikim ka përcaktuar dhe gjuhën artistike që është përgjithësisht realiste dhe me pasion ekspresiv. Në ekspozitë nuk përfshihet cikli i gravurave në dru kushtuar “Historisë së Skënderbeut “ sipas Fan Nolit, cikël ende i papërfunduar me mbi 40 gravura, ashtu si dhe një pjesë jo e vogël ilustrimesh në libra të dizejnuar në grafikë që nuk janë të përfshira këtu. Uroj të kem ende për ti treguar publikut tim të respektuar për aventurën grafike në të ardhmen. Ky është i pari ekspozim i kësaj gjinie fort të dashur të cilën, së pari dëshiroj t’ja tregoj bashkëqytetarëve mirëdashës të artit tim.
Intimiteti i sendit në grafikën e Anastas Kostandinit
Parafjalë e Prof.Dr. Luan Topçiu nga katalogu “Grafika Taso” botuar në Ombra GVG, 2007
“Anastas Kostandini, piktor i mirënjohur i artit bashkëkohor, një profil i pangatërrueshëm i artit shqiptar, një artist i përkushtuar që ka dëshmuar aftësitë e tij në një numër ekspozitash vetjake brenda dhe jashtë vendit. Një hipostazë e personalitetit të tij artistik është grafika, gravura, që e vendosin atë ndër artistët më të mirë të vendit. Grafika e Anastas Kostandinit është dëshmia e artistit me kureshtje të gjallë analitike, me këmbëngulje që refuzon shikimin rastësor. Celësi i suksesit të tij duhet kërkuar tek vëzhguesi i ndihmuar nga mprehtësia e jashtëzakonshme e të parit. Gjithmonë artisti është nën tensionin e kureshtjes për gjithçka që është e gjallë, për objekte të jetës së përditshme, për peisazhe, trungje, kala të vjetra, gurë, mure të hapura, kalldrëme te çrregullt, dyer, qyngje, oxhaqe shtëpish, relieve malesh, valëzimin e dallgëeve të liqenit, brendi ndërtesash, për njeriun të gjendur në aq intimitet me peisazhin e tij - që të gjitha i superpozon, i mpleks në një sipërfaqe organike, sipërfaqe ku pasqyrohet bota e magjishme e artistit dhe e vendlindjes.”
Data & Ora: 12-08-2022 19:00
Vendi Eventit: Galeria e Artit
Vendndodhja ne Harte