Agron Ruvina ose si e thërrisnin pogradecarët Pandi, lindi në Pogradec më 08/5/1948. Që në moshë të vogël liqeni i ngalli pasionin e notit dhe ka rezultuar jo vetëm i apasionuar por me rezultate të larta në garat e notit, duke spikatur me stilin dhe shpejtësinë e tij në këtë sport. Shumë shpejt ai u bë një nga notarët më të talentuar, këmbëngulës e i suksesshëm në nivel lokal por edhe kombëtar.
Në vitin 1969 Ruvina arrin rezultate të larta kombëtare e më pas aktivizohet me skuadrën e Partizanit si edhe në Ekipin Kombëtar duke përfaqësuar Shqipërinë.
Në 1969 kohë kur mbahej Kampionati i Notit, Agroni vendos rekord kombëtar në garën 200 m stil i lirë. Në vitin 1971 në garën 200 m thyen përsëri rekordin dhe zë vendin e parë.
Agron Ruvina ishte jovetëm një sportist i nivelit të lartë, por edhe një pogradecar i denjë, i cili me punën dhe pasionin e tij e ngriti emrin e Pogradecit shumë lart në këtë sport.
Pas largimit nga jeta në vitin 1988 Agronit ju dha titulli "Mjeshtër i Sportit" për meritat, kontributin ndër vite si notar dhe rekordmen në sportin e notit. Më vonë në vitin 2000 Bashkia Pogradec i akordoi titullin e lartë "Qytetar Nderi".
Tashmë prej disa vitesh me mbështetjen e Komitetit Olimpik Kombëtar dhe Bashkisë Pogradec në nder të tij organizohet Maratona e Notit "Agron Ruvina" ku marrin pjesë të apasionuar pas notit, të rinj dhe veteranë nga e gjithë Shqipëria.
Agron Ruvina do të mbetet ndër breza si frymëzim për çdo të ri dhe të re, për të punuar fort, e për të çuar më përpara sportin e notit.
I paharruar përjetë kujtimi i Agron Ruvinës!