Mokra në kohën e pushtimit fashist ishte një krahinë me pari. Qarku i Korçës, Çeta e Mokrës po punonte për pajtimin e grindjeve, hakmarrjeve etj. Thirrja ishte: “Të ndalohet hakmarrja o popull, se kjo i shërben armikut. Jeta e njerzve të vihet në shërbim të Atdheut”.
Në Qarkun e Korçës u vendos pajtimi i gjaqeve dhe djemtë e familjeve që kishin qënë në hasmëri të vjetra tani e tutje luftonin në krah kundër armikut. Ishin pjekur kushtet, çeta vepronte në Mokër ku ishin bërë shumë aksione si pastrimi i postave të karabinierisë italiane, shpërndarja e drithit e të dhjetave në Pleshisht, Trebinjë, Slabinjë, Velçan etj. Ishte bashkëpunimi i popullit, pa dallim feje, krahine, ideje ku busulla kryesore për të gjithë ishte çështja kombëtare. Nuk kishte ushtri italiane në Mokër. Ajo ishte në Pogradec, Prrenjas, Qukës etj. Kjo krahinë u çlirua nga fashistët italianë, banorët u çliruan nga taksat, u forcuan Këshillat Nacional Çlirimtarë.
Çeta e Mokrës, duke parë këto kushte vendosi të bëjë bashkimin më tej të popullit. Për këtë u zhvillua Kuvendi i Slabinjës për zhdukjen e tarafeve dhe gjaqeve tek shtëpia e Ali Lekës. Këtu ishin ftuar të gjithë fiset e Mokrës që kishin probleme me njëri – tjetrin. Kuvendi u organizua dhe drejtua nga Reshit Çollaku. Në Mokër nuk kishte fshat ku të mos kishte hasmëri.Me këmbëngulje u arrit ajo që shumë njerzve iu duk e pabesueshme. Pjesmarrësit vendosën “besëlidhjen”, ndalimin e gjaqeve deri në mbarimin e luftës. Ata që e thyenin dënoheshin rreptë kolektivisht.
Në kuvend morën pjesë fiset Kreka, Kapri e Kullolli nga Goliku, fisi Gjona nga Lakteshi, fisi Baçi nga Çezma e Vogël, fisi Blloshmi nga Bërzeshta, fisi Isufi nga Slatina, fisi Muço nga Trebinja, fisi Ademaj nga Selca e Sipërme, fisi Mane nga Losniku etj. Të deleguar ishin Pilo Peristeri dhe Misto Treska nga Qarku i Korçës. Disa nga përfaqësuesit e fiseve mokrare ishin Liko Gjona, Haki Blloshmi, Faik Kapri, Isuf Slatina, Ibrahim Baçi, Cene Mane etj. Fisi i fundit që erdhi në Kuvend ishin fisi Baçi nga Çezma e Vogël.
Të gjitha marrëveshjet u diskutuan në këtë kuvend dhe për këto u mbajt një marrveshje dhe u nënshkrua nga të gjithë përfaqësuesit e fiseve. Kur nënshkroi marrveshjen, Sulejman Leka nga Slabinja qëlloi me armë, atëherë të gjithë qëlluan një fishek dhe u pajtuan të gjithë fiset. Pasi u nënshkrua marrveshja filloi rakia e dollia . Mokra u bashkua e gjitha në luftë kundër pushtuesit. Mokra ishte e gjitha e vëllazëruar dhe e bashkuar.