Në 90-vjetorin e krijimit të Klubit të Futbollit të Pogradecit, drejtuesit e klubit organizuan një aktivitet në nder të kësaj dite duke përkujtuar edhe figurën e ish portierit, trajnerit dhe drejtuesit për shumë e shumë vite z.Thanas Papa. Një ndeshje mes të rinjve ku ekipi fitues mori kupën "Thanas Papa" dhe falën shumë emocione.
HISTORIK I SHKURTËR: “FUTBOLLI POGRADECAR NDËR VITE”
INFORMACIONI I MËPOSHTËM BAZOHET MBI LIBRIN “SPORTI NË POGRADEC”,
ME AUTOR AGRON STAROVA
_____________________________
Në bazë të zbulimeve gjeografike në Qytetin e Pogradecit dhe në rrethinat, rezulton se sporti ka qenë i zhvilluar qysh në lashtësi. Këtë e dëshmojnë basorelievet në qeramikë në ndonjë mozaik apo gjetje të tjera.
Për sport të organizuar mund të flitet pas vitit 1910, sidomos pas ngritjes së shoqërive kulturoro-sportive, të cilat i kishin vënë detyrë vetes që rinia të mos mbetej inaktive, por të kalitej fizikisht, të formohej moralisht dhe t’i përkushtohej familjes duke marrë përsipër punëra të vështira.
Mihal Bellkameni, i ndihmuar nga Thanas Kërxhalli dhe patriotë të tjerë, ngritën me 14 Mars 1915, të parën Shoqëri sportive e kulturore, të cilës i vunë emrin “TRUPI GJIMNASTIK”.
Në fillimet e viteve 20-të fillon ngritja e grupeve dhe shoqërive të BOYSKAUTËVE. Përmes dokumenteve autentike zbulohet se themelues dhe organizator i BOYSKAUTËVE pogradecarë ishte sërish Mihal Bellkameni.
Në verën e vitit 1928 krijohet Shoqëria “SPORTKLUB POGRADECI”, në kryesinë e së cilës morën pjesë: z. Kol Koçi, z. Llambi Kërxhalli, z. Zisi Kuzi, z. Misto Cici, z. Neshat Leka, z. Qamiran Sulstarova, z. Sami Sulstarova, etj.
Në krijimin e Entit Kombëtar “Djelmërija Shqiptare”, në gjirin e së cilës formohet Federata Sportive, shoqëritë ekzistuese formojnë një shoqëri të vetme krahinore. Me datë 10 Gusht 1928, në një Sallë të Bashkisë të Qytetit, formohet Shoqëria “D R A G O I”, e cila aktivitetin e saj të organizuar e filloi me futbollin. Këshilli I Shoqërisë “D R A G O I” përbëhej nga Kryetar Nderi, Nënprefekt, z. Sadi Zharri, Kryetar (kalimenter), z. Llambi Basho, Kryetar i Bashkisë, Nënkryetar, z. Arif Sulstarova, Sekretar, z. Nevruz Guxholli (Pasho), z. Fahri Minarolli, z. Kristaq Kole dhe z. Zija Haxhi. Ky Këshill do të hartonte rregulloren dhe nevojat që kishte shoqëria në përgjithësi. Me Vendimin e saj nr. 22, datë 20 Nëntor 1931, Kryesia e Federatës Shqiptare e pranoi Shoqërinë “D R A G O I” si anëtare të saj.
Pas çlirimit, në Tiranë, në vitin 1945 rikrijohet Federata Sportive Shqiptare. U ngritën Shoqëritë Lokale. Ndër 18 Shoqëritë e para që u pranuan në Federatë, si anëtare e saj u pranua edhe Shoqëria pogradecare “D R A G O I”.
Organizime të reja u bënë edhe në shoqëritë e rretheve. Në Pogradec për organizimin e drejtimin e lëvizjes fiskulturore ngrihet një komision, i përbërë nga z. Nexhip Minarolli, z. Tomorr Starova, z. Kopi Ambo, z. Pandi Angjele, znj, Ida Jovan, etj.
Futbollistët e Shoqërisë “D R A G O I” të mbetur pas çlirimit morën përsipër veprimtaritë sportive.
Viti 1949 shënon inkuadrimin me emrin “SPARTAK” të ekipit të futbollit. “SPARTAK” u inkuadrua në Shoqërinë Qendrore “SPARTAK”, që pëfshinte anëtarë nga klasa punëtore.
Me datë 9 Gusht 1959, Shoqëria Sportive e Pogradecit, merr emrin “Ylli i Kuq”.
Në vitet 90-të, Shoqëria Sportive “Ylli i Kuq” merr emrin “KS Pogradeci”.
Nderim dhe respekt në këtë përvjetor për të gjithë brezat, të cilët kanë dhënë kontributin e tyre të pakursyer dhe kanë inspiruar breza e breza sportistesh dhe sportistësh të suksesshëm ndër vite!
Nderim dhe Respekt!