Shkëlqesia e Saj, Ambasadorja e SHBA-ve, znj. Yuri Kim, kreu një vizitë kortezie pranë Bashkisë Pogradec. Kryetari i Bashkisë Pogradec, z. Ilir Xhakolli falënderoi znj. Ambasadore për bashkëpunimet përmes programesh të ndryshme inicuar dhe financuar nga Organizma të ndryshëm të SHBA-ve, të akredituar në Shqipëri, të tillë si USAID, PNUD, etj., si edhe për programet dhe investimet e realizuara në Pogradec në bashkëpunim me Ambasadën Amerikane në Tiranë. Gjithashtu z. Ilir Xhakolli prezantoi Vizionin dhe Objektivat e Bashkisë Pogradec sa u takon zhvillimit urban, zhvillimit rural, dhe aspektit socio-ekonomik, duke theksuar përfshirjen e shoqërisë civile në çështje të tilla të ndjeshme si barazia gjinore, përkujdesi social, dhuna në familje, etj,. Shkëlqesia e Saj, znj. Yuri Kim vlerësoi bashkëpunimin me Bashkinë Pogradec në realizimin e programeve dhe projekteve të ndryshme realizuar në Pogradec dhe e cilësoi mjaft të rëndësishëm bashkëpunimin mes pushtetit vendor dhe shoqërisë civile. Gjithashtu, nga ana e Shkëlqesisë së Saj, znj. Yuri Kim, u la të nënkuptohej mundësia për bashkëpunim të mëtejshëm me Bashkinë Pogradec.