Fermeri ka nevojë për mbështetje reale, politika të drejta dhe vendime që nisen nga puna dhe sakrifica e tij e përditshme.
Pikërisht me këtë frymë mora pjesë në dëgjesën publike me fermerët e zonës, të organizuar nga Ministri i Bujqësisë Andis Salla në Pogradec. Bashkë me fermerët diskutuam hapur problematikat dhe paraqitëm disa propozime konkrete, të menduara mbi baza ekonomike dhe praktike, për të ndihmuar realisht fermerin dhe për të formalizuar sektorin.
● Së pari, propozuam heqjen e taksës së qarkullimit dhe karbonit nga nafta 32 lek. Sot karburanti për mjetet e rënda nuk furnizohet në Shqipëri, as për import dhe as për eksport, për shkak të çmimit të lartë, çka ka krijuar rrugë kontrabande që dëmtojnë tregun dhe shtetin. Sipas specialistëve të fushës, kjo masë do të rrisë zhdoganimin e karburantit dhe pagesa e kësaj takse mund të kryhet në momentin e pagesës së detyrimeve tatimore, pa dëmtuar financat e buxhetit të shtetit, ndërkohë që ulet edhe çmimi i naftës.
● Së dyti, kërkuam ndryshimin e skemës së subvencionimit për bagëtitë e trasha dhe të imta. Subvencioni duhet të bëhet në bazë të numrit real të krerëve dhe jo më me tufa, duke rritur njëkohësisht masën e mbështetjes financiare, sipas modeleve të vendeve fqinje si Maqedonia e Veriut dhe Greqia. E njëjta logjikë duhet të zbatohet edhe për parqet e bletëve.
● Së treti, një tjetër propozim ishte zëvendësimi i subvencionit për naftën me mbështetje direkte për produktin:
○ 10 lekë/kg për frutat
○ 15 lekë/kg për perimet
○ 5 lekë/kg për drithërat
Kjo skemë formalizon fermerin, pasi pagesa bëhet në momentin e dorëzimit dhe certifikimit të produktit, duke garantuar cilësinë dhe standardin e prodhimit.
● Për të mbyllur zinxhirin e TVSH-së, propozuam që ushqimi bazë të tatohet me 6% si në hotele, në vend të 20% që është në restorante, me përjashtim të pijeve alkoolike. Kjo masë ndihmon konsumatorin, lehtëson bizneset dhe formalizon më tej ekonominë.









