Konsulli i Nderit të Republikës së Shqipërisë për rajonin e Lombardisë në Itali, z. Vincenzo Chimisso, zhvilloi një vizitë në Bashkinë e Pogradecit, ku u prit nga kryetari i bashkisë, z. Ilir Xhakolli.
Gjatë takimit, z. Chimisso shprehu vlerësime të larta për Pogradecin, duke e cilësuar atë si një qytet me trashëgimi të pasur kulturore dhe historike, si dhe me bukuri të veçantë natyrore.
Ai shprehu gjithashtu gatishmërinë për të thelluar bashkëpunimin në fushën e turizmit, me fokus të veçantë në krijimin e lidhjeve me organizata ndërkombëtare dhe zhvillimin konferencave e aktiviteteve të ndryshme që i shërbejnë zhvillimit të turizmit dhe ekonomisë lokale.
Një tjetër aspekt i rëndësishëm i diskutimeve ishte promovimi i Pogradecit në evente të ndryshme në Itali dhe më gjerë, me qëllim rritjen e numrit të turistëve italianë që vizitojnë qytetin.
Z. Chimisso vlerësoi gjithashtu punën e kryetarit Ilir Xhakolli dhe mënyrën e administrimit të qytetit, duke e cilësuar Pogradecin si një nga qytetet më të veçanta që ka vizituar në Ballkan.



