Në kuadër të 30 gushtit që përkon me 76-vjetorin e Çlirimit të Pogradecit, Bashkia Pogradec në bashkëpunim me Organizatën e Lanç, Komitetin e Veteranëve dhe Dëshmorëve organizoi ditën përkujtimore për heronjtë pogradecarë që kanë dhënë jetën për çlirimin e Pogradecit në luftën Anti Fashiste Nacional Çlirimtare.
Pjesë e takimit ishin Ministri i Sipërmarrjes njëkohësisht edhe deputet i zonës Z. Eduard Shalsi, Kryetari i Bashkisë Pogradec Z. Ilir Xhakolli, N/Prefekti Luan Maxhari, Kryetari i Këshillit Z. Sotiraq Mangëri, përfaqësues nga Këshilli i Qarkut Korçë, Kryetari i Lanç Pogradec Z. Bedri Mokrëri, drejtues qëndrorë e lokalë si edhe pasardhës të dëshmorëve e qytetarë. Për shkak edhe të situatës së krijuar nga pandemia Covid19, u mbajt një ceremoni e thjeshtë me fjalë përshëndetëse duke zbatuar të gjitha masat anti covid. Pas fjalëve përshëndetëse u kryen homazhe dhe u vendosën kurora me lule.
Lavdi përjetë dëshmorëve të atdheut, përulje dhe nderim për çdo kontribut të dhënë në luftën për lirinë e Pogradecit dhe mbarë vendit. Gëzuar 76-vjetorin e lirisë së këtij qyteti.