Kryetari i Bashkisë Pogradec, z. Ilir Xhakolli, priti në një vizitë zyrtare Ambasadorin e Suedisë në Shqipëri, z. Niklas Ström.
Gjatë takimit, Kryetari prezantoi një panoramë të përgjithshme të Pogradecit, rrethinave dhe potencialit të madh që zona ofron në turizëm dhe agroturizëm. Ai e njohu Ambasadorin me projektet e realizuara dhe ato që pritet të zbatohen në territorin e bashkisë, me fokus zhvillimin e qëndrueshëm dhe përmirësimin e cilësisë së jetës.
Ambasadori Ström u shpreh i surprizuar nga bukuria natyrore e Pogradecit, mikpritja e njerëzve dhe trashëgimia historike e zonës. Ai theksoi besimin se qyteti ka një të ardhme të ndritur në drejtim të turizmit, falë investimeve dhe vëmendjes së bashkisë dhe qeverisë.
Një interes i veçantë u shpreh për shërbimet sociale dhe sidomos për fushën e rinisë, duke theksuar dëshirën për projekte dhe aktivitete të përbashkëta mes Ambasadës së Suedisë dhe Bashkisë Pogradec. Ambasadori konfirmoi gatishmërinë për mbështetje të vazhdueshme në programe të ndryshme që synojnë forcimin e komunitetit dhe angazhimin e të rinjve.
Në kuadër të këtij bashkëpunimi, ambasada shfaqi në kinemanë e qytetit filmin “Britt Marie Was Here”, si një formë e këndshme komunikimi dhe ndërveprimi mes ambasadorit dhe të rinjve pogradecarë.
#Pogradeci vazhdon të ndërtojë ura bashkëpunimi me partnerë ndërkombëtarë, duke hapur rrugë për zhvillim, kulturë dhe mundësi të reja për qytetarët.
#BashkiaPogradec #SwedenEmbassy














