Shkëlqesia e Saj, Ambasadore e Shtetit të Izraelit në Republikën e Shqipërisë, Znj. Galit Peleg zhvilloi një vizitë zyrtare Bashkinë e Pogradecit ku u prit nga Kryetari i Bashkisë Z. Ilir Xhakolli.
Pas prezantimit nga ana e Kryetarit Xhakolli mbi Pogradecin si një Qytet me prioritete zhvillimi kryesisht në fushat Turizëm dhe Agroturizëm, në fjalën e saj N/Kryetarja e Bashkisë Pogradec, znj. Entela Gusho u ndal në bashkëpunimet e deritanishme mes Ambasadës së Shtetit të Izraelit dhe Bashkisë Pogradec, ku përfshihen pasurimi me një fond librash i Bibliotekës “Mitrush Kuteli”, ndihmë ushqimore të një numri të konsiderueshëm të familjeve në nevojë në fundvit si dhe organizimi i Ekspozitës fotografike me fokus portretin në Jeruzalem.
Nga ana e saj, Znj. Galit propozoi bashkëpunime konkrete në projekte për zhvillimin e turizmit, bujqësisë, mbështetje për shërbimin social, sigurinë kibernetike dhe energjinë e rinovueshme duke veçuar Pogradecin si një destinacion mjaft të rëndësishëm turistik.
Znj. Galit Peleg në fjalën e saj ofroi bashkëpunim edhe për trajnime në fusha të tjera zhvillimi, të cilat çojnë në krijimin e sipërmarrjeve të suksesshme në fushën e biznesit. Takimi u finalizua me një Plan paraprak Veprimi së pari mbi aktivitete të përbashkëta kulturore-artistike dhe mbështetje për sektorin e shërbimit social dhe në vijimësi në bazë të projekteve që do të paraqiten nga bashkia mbi fushat e sipër përmendura.