Sheshi “Odeoni” në qytetin e Pogradecit do të ketë së shpejti një pamje të re.
Bashkia e Pogradecit duke publikuar disa pamje se si do të transformohet ky shesh bën të ditur se “kemi gati tashmë projektin e transformimit të një nga zonave, e cila prej vitesh e ka pasur mjaft të nevojshëm këtë investim dhe që do të realizohet nga fondet e buxhetit të bashkisë”.”
“Në sinkron edhe me sheshin e trëndafilave, Odeoni do të gumëzhijë sërish nga aktivitetet artistiko-kulturore, por tashmë me një pamje krejt ndryshe”, shprehet bashkia.
Odeoni ndodhet në qytetin e Pogradecit dhe përfaqëson një hapësirë publike multifunksionale në përfundim të shëtitores ‘Europa’ pranë pedonales në bregun e Liqenit të Pogradecit.
Amfiteatri i hapur është dizenjuar për të ofruar hapësira për tu ulur, për të pushuar, si edhe hapësira rekreative e argëtimi për fëmijë dhe të rritur.
Me një kapacitet përdorimi me 600 vende uljeje dhe rreth 2000 persona në total, odeoni është konceptuar në sajë të disa elementeve të ndryshme arkitektonike si: shkallaret, format kuboide të fragmentuara, orientime të shumëfishta që ofrojnë larmi të panoramave të qytetit, integrimi i bimësisë dhe elementeve të tjera natyrore me karakter vendas.
Pogradeci është një atraksion i përhershëm turistik ku me hijeshinë e liqenit, natyrën, kulturën, historinë, kulinarinë, tërheq turistë të shumtë vendas e të huaj në çdo stinë të vitit.