Organizova sot në Drilon takimin e Komitetit të Menaxhimit të Zonave të Mbrojtura Mjedisore për “Peisazhin e Mbrojtur Tokësor ujor të Pogradecit”, pas atij të muajit Maj në Prespë për “Parkun Kombëtar të Prespës”.
Të ftuar në këtë takim ishin përfaqësues nga Ministria e Turizmit, Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura, Inspektoriati i Mbrojtjes së Territorit, Operatori i Shpërndarjes së Energjisë, Bashkia Pogradec, Këshilli i qarkut, Universiteti i Korçës dhe Drejtoria rajonale e Trashëgimisë Kulturore.
Kërkova nga institucionet masa të shpejta për hartimit të Planit të ri të Menaxhimit të ZM-së “Peisazhi i Mbrojtur Tokësor, Ujor i Pogradecit’, bazuar në rekomandimet e lëna nga UNESCO dhe raportim mbi problematikat e konstatuara në Zonën e Mbrojtur që lidhen me ndërtimet pa leje në Drilon, me ndotjen e liqenit të Ohrit dhe burimeve të tij ujore, me vend-depozitimin e ri për mbetjet e Dampës të Shllameve, shfrytëzimin pa kriter të burimeve natyrore, veçanërisht të peshkimit dhe lëndës drusore për ngrohje nga baseni i Liqenit.
Në këtë kuadër, lajmi i mirë janë ndërhyrjet që akualisht po zbatohen
- Në zonën e Drilon-Tushemishtit, financim i AADF 5.5 milionë dollarë, që do të reabilitojë parkun ekzistues dhe do ta zgjerojë atë deri te burimet e Gurasit, ndërtimi i qendrës së vizitorëve, ndërtimi i 3 parkimeve publike, si dhe rikonstruksioni i fasadave të Tushemishtit.
- Shëtitorja e Tushemishtit, financim i FSHZh 4 milionë dollarë.
- Rruga Tushemisht-Doganë, financim i FSZH. 3 milionë dollarë.
- ByPass i Tushemishtit. Financimi i Bankës Botërore nëpërmjet FSZH. Vlera rreth 4 milionë dollarë.
Këto investime që kapin vlerën e afro 15.5 milionë dollarëve, do të jetësojnë një transformim të qëndrueshëm duke e kthyer qytetin e Pogradecit në një destinacion turistik shumë më të preferuar për vizitorë vendas e të huaj. Edhe treguesit e prezantuar në datë 27 Shtator në takimin e zhvilluar me kryeministrin për Ditën Botërore të Turizmit, dëshmojnë për një tendence progresive të turistëve të huaj, fakt i cili e ka rritur kontributin e sektorit të turizmit në ekonominë kombëtare, nga 4% që ka qenë 10 vite më parë, në afro 17.5%.
Sot është nënshkruar edhe marrëveshja për përdorimin e imazherise satelitore, që jep mundësinë e disponimit në kohë reale midis shumë imazheve në shërbim të institucioneve e agjencive shtetërore, edhe të situatës apo zhvillimeve në zonat e mbrojtura, çka e bën më të lehtë njohjen, menaxhimin dhe reagimin e nevojshëm.