Një tjetër vendbanim prehistorik, krahas atij të Buqezës, është zbuluar në afërsi të rrugës Pogradec-Drilon. Një ekip arkeologësh të Institutit të Arkeologjisë, në bashkëpunim me studentë të arkeologjisë nga Maqedonia e Veriut, Serbia etj, prej pak ditësh kanë nisur në këtë zonë gërmimet. Sipas drejtueses shkencore të projektit, arkeologes Edlira Andoni, kemi të bejmë me një vendbanim i cili i përket periudhës së Neolitit të hershëm, rreth 7800-8000 vjeçar, pra më i hershëm se vendbanimi i tipit "palafit" në Buqezë. Tipologjia e ndërtesave në të është mjaft e veçantë, sipas arkeologëve kemi të bëjmë me ndërtesa të cilat kanë qenë deri në dy kate, ndërsa vendbanimi mendohet të ketë pasur një sipërfaqe rreth 2 hektarë.